Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj do të rikthehet në ring për një nga sfidat më të rëndësishme të karrierës së tij.
Më 23 tetor 2026, Uldedaj do të ngjitet në ringun e Parkut Olimpik “Feti Borova” në Tiranë, ku do të mbrojë për herë të dytë titullin botëror IBO në kategorinë Cruiserweight.
Kundërshtari i tij do të jetë australiani Blake Caparello, ish-kampion bote i IBO-së dhe një boksier me përvojë të gjatë në arenën ndërkombëtare.
Në një postim të publikuar nga Tirana, Uldedaj e ka cilësuar përballjen si një moment të veçantë, pasi për herë të parë do të mbrojë titullin botëror në Shqipëri.
“Pas Londrës. Pas Wembley-t. Tani është koha e Tiranës”, shkruan Uldedaj.
Boksieri shqiptar tregon se prej vitesh ka ndjekur objektivin për t’u rikthyer në vendlindje si kampion bote. Ai kujton sakrificat e bëra gjatë karrierës, larg familjes dhe vendit të tij, ndërsa e konsideron mbrojtjen e titullit në Tiranë si realizimin e një ëndrre të veçantë.
“Kur të ngjitem në atë ring, nuk do të jem vetëm”, shkruan Uldedaj, duke u bërë thirrje shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë që ta mbështesin në sfidën e radhës për titullin botëror.
/GazetaBlic Sport/


