Pejë- Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Vesel Jusajt- drejtor përgjegjës në kompaninë “Delta Group”, duke e dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim dhe 4 mijë euro gjobë për rastin e shpërthimit të gazit në vendin e punës ku vdiq punëtori V.M. Kurse, subjekti juridik- Delta Group u dënua me 20 mijë euro gjobë.
Në këtë rast, Vesel Jusaj si person fizik dhe “Delta Group” si person juridik, akuzoheshin për veprat penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas njoftimit, me aktgjykimin e 16 shtatorit 2026, për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, i akuzuari Jusaj u dënua me 4 vjet e 6 muaj burgim. Kurse, për veprën penale “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”, u dënua me 4 mijë euro gjobë.
Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik me 4 vjet e 6 muaj burgim dhe 4 mijë euro gjobë.
Në dënimin me burgim, të akuzuarit i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 23 tetor 2024 deri më 30 tetor 2024 dhe në arrest shtëpiak nga data 30 tetor 2024 deri më 22 janar 2025.
Bëhet e ditur se dënimi me burgim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, ndërsa gjoba duhet të paguhet brenda afatit prej 90 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
Kurse, personi juridik “Delta Group” sh.p.k për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, u dënua me 15 mijë euro gjobë. Kurse, për veprën penale “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”, u dënua me 5 mijë euro gjobë.
“Pas bashkimit të dënimeve, personi juridik “D.G.” SH.P.K. është dënuar me gjobë në shumën e përgjithshme prej 20,000 (njëzet mijë) euro, e cila duhet të paguhet brenda afatit prej 90 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit, nën kërcënimin e ekzekutimit të detyrueshëm”, njofton Gjykata.
E dëmtuara L.M., është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore-juridike.
Sipas njoftimit, të akuzuarit, në mënyrë solidare, janë obliguar që në emër të shpenzimeve të procedurës penale të paguajnë shumën prej 800 euro për ekspertizën nga lëmia e sigurisë dhe shëndetit në punë, shumën prej 150 euro në emër të taksës gjyqësore/paushallit, si dhe shumën prej 20 euro në emër të kompensimit për viktimën, brenda afatit prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit, nën kërcënimin e ekzekutimit të detyrueshëm.
Sipas aktakuzës së ngritur më 17 janar 2025, Vesel Jusaj akuzohej për veprat penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”. Ai akuzohej se më 11 tetor 2024, në kompaninë “Delta Group”, si drejtor përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, nuk ka siguruar masa të mjaftueshme sigurie, duke shkaktuar shpërthimin e gazit dhe vdekjen e një punëtori. Po ashtu, ai akuzohej se më 14 dhjetor 2022, ka hequr bllombën zyrtare nga rezervuari i gazit, duke shkelur rregullat për sigurinë dhe shitjen e gazit. Për këto vepra penale, akuzohej gjithashtu edhe kompania “Delta Group” si person juridik.


