Lajme

Ramadani rikthen deklaratën e vitit 2010: Fitorja e parë e luftës hibride ruso-serbe ndaj Kosovës dhe Perëndimit ishte Raporti i Dick Marty-t

09/20/2026 22:19
nga:G B

Pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, ka reaguar nënkryetari i Aleancës dhe deputeti, Burim Ramadani, duke e cilësuar raportin e Dick Marty-t si goditjen dhe fitoren e parë që Rusia dhe Serbia arritën në luftën hibride ndaj Kosovës.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, Ramadani ka ndarë një pjesë nga libri i tij i botuar me titull “NË LUFTË HIBRIDE”, ku argumenton se ky raport nuk përfaqësonte një hetim profesional apo të paanshëm.

Deputeti i Aleancës shpjegon se dokumenti synonte me saktësi goditjen dhe përbaltjen e dy shtyllave kryesore: luftës së pastër të shqiptarëve për liri dhe ndërhyrjes humanitare të NATO-s në Kosovë, duke shkaktuar kështu dëme të mëdha e të njëkohshme.

Në dritën e këtyre zhvillimeve aktuale, Ramadani ka sjellë në vëmendje se ai vetë e kishte paralajmëruar këtë skenar që para 14 viteve.

Ai ka kujtuar reagimin e tij të hershëm të datës 15 dhjetor 2010, të publikuar asokohe nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters.

Ramadani ka vënë në pah se që nga ajo periudhë, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të partisë, i kishte cilësuar akuzat si plotësisht të papranueshme dhe të pabazuara, duke deklaruar prerazi se shqiptarët në Kosovë luftuan për liri dhe jo për të përfituar nga rrjetet kriminale.