Lajme

Krasniqi nga protesta: Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë ikonat e lirisë sonë

09/17/2026 21:26
nga:L J

Ish-kryetari I PDK-së, Memli Krasniqi nga protesta e cila po mbahet kundër Speciales në shesh, tha se qytetarët e Kosovës nuk pajtohen me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Krasniqi tha se, sipas tij, ish-krerët e UÇK-së janë “ikonat e lirisë” dhe se vendimi i Hagës ka qenë i padrejtë.

“Në emër të popullit i shpallim të pafajshëm. Kosova çlirimtarët e vet i ka shpallur të pafajshëm. Ajo gjykatë ka degraduar skajshmërisht, është komplet jashtë misionit, jashtë asaj që kemi besuar”, tha Krasniqi.

Ai u shpreh se do të bëhet gjithçka për, siç tha, “përmirësuar gabimin e pafalshëm” të bërë nga gjykata.

“Do të bëjmë çmos për ta përmirësuar gabimin e pafalshëm të cilin ata e kanë bërë dje”, deklaroi ai për Klan Kosova.

Krasniqi tha se protestat janë dëshmi e mbështetjes së qytetarëve për ish-krerët e UÇK-së.

“Ata janë ikonat e lirisë tonë dhe nuk ka gjykatë në botë që mundet t’i shpallë fajtorë për ato imagjinata të shfrenuara të cilat i kemi dëgjuar dje. Këto protesta, që janë edhe spontane, janë dëshmia më e mirë se ne të gjithë jemi me ta”, u shpreh Krasniqi.