Lajme

Fruthi ua merr jetën 1,000 fëmijëve në Bangladesh

09/17/2026 08:36
nga:L J

Më shumë se 1,000 fëmijë kanë humbur jetën nga një shpërthim i fruthit në Bangladesh, ndërsa numri i rasteve vazhdon të rritet pavarësisht një fushate emergjente vaksinimi.

Sipas të dhënave të fundit, mbi 19.8 milionë fëmijë në të gjithë vendin janë vaksinuar tashmë, por rreth 1,000 raste të reja të dyshuara po raportohen çdo ditë, shkruan BBC.

UNICEF ka bërë të ditur se më 26 shtator qeveria e Bangladeshit do të nisë një fazë të intensifikuar të fushatës, me synimin për të arritur edhe fëmijët që ende nuk janë vaksinuar.

Deri në mars të këtij viti, Bangladeshi kishte bërë “përparim të konsiderueshëm” drejt eliminimit të fruthit, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Megjithatë, të dhënat e reja të OBSH-së tregojnë se vendi tashmë ka regjistruar më shumë raste fruthi se çdo shtet tjetër në botë gjatë këtij viti.

Shifrat e fundit të qeverisë tregojnë se që nga marsi janë regjistruar më shumë se 194,000 raste, ndërsa sëmundja, e cila është jashtëzakonisht ngjitëse, përhapet lehtësisht përmes frymëmarrjes, kollitjes dhe teshtimave.

Vetëm të martën, tetë persona të tjerë humbën jetën, ndërsa dyshohet se vdekjet lidhen me fruthin.

Fruthi në Bangladesh, një vend me rreth 178 milionë banorë, pësoi një rritje të madhe të rasteve në muajin mars.

UNICEF e ka përshkruar situatën si një “stuhi perfekte” të krijuar nga disa faktorë, mes tyre dendësia e lartë e popullsisë dhe ndërprerjet e vaksinimit rutinë gjatë pandemisë së COVID-19.