Kryeqytetit i është shtuar një hapësirë e re ekspozuese. Synimi i saj është të krijojë një vend për prezantimin e artit, kulturës dhe kujtesës kolektive. Bëhet fjalë për Galerinë Lumi91, e vendosur në “Lagjen e Artistëve” në Ulpianë, e cila u përurua më 3 shtator me ekspozitën “1928 – Rexhep Rakovica, Portrete”, kushtuar fotografit pasionant të Prishtinës, Rexhep Rakovica (1909–1988), i cili filloi të merrej me fotografinë në vitin 1928.
Të gjithë artdashësit dhe të interesuarit për të parë një anë tjetër të Prishtinës tani mund ta vizitojnë galerinë nga e marta deri të dielën, prej orës 12:00 deri në orën 17:00.
Lokacioni: https://maps.app.goo.gl/
Përmes portreteve individuale, familjare dhe grupore, ekspozita aktuale “1928 – Rexhep Rakovica, Portrete” sjell para publikut dhjetëra fotografi që dëshmojnë jetën, veshjet, traditat dhe transformimin e Prishtinës gjatë dekadave të kaluara. Rreth 90 për qind e fotografive të përfshira në ekspozitë nuk janë paraqitur më parë para publikut, ndërsa një pjesë e tyre është zhvilluar nga negativët e ruajtur ndër vite nga familja Rakovica.
Përmes këtyre fotografive, vizitorët kanë mundësi të njihen me një pjesë të rrallë të kujtesës vizuale të kryeqytetit dhe me trashëgiminë e njërit prej fotografëve të tij të hershëm.
Pas ekspozitës “1928 – Rexhep Rakovica, Portrete”, Galeria Lumi91 do të vazhdojë programin e saj me ekspozita dhe aktivitete të tjera artistike e kulturore, duke u ofruar hapësirë krijuesve dhe duke pasuruar jetën kulturore të kryeqytetit.
Të interesuarit ftohen ta vizitojnë galerinë dhe t’i ndjekin rrjetet e saj sociale për t’u informuar rreth ekspozitave, aktiviteteve dhe njoftimeve të ardhshme.
Instagram: https://www.instagram.com/p/
Facebook: https://www.facebook.com/p/


