Lajme

Policia u kërkon qytetarëve të largohen nga ndërtesa e Gjykatës Speciale

09/16/2026 09:20
nga:L J

Pak orë para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, në Hagë janë shtuar masat e sigurisë pranë objektit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Për shkak të numrit të madh të qytetarëve të mbledhur para Gjykatës Speciale, policia holandeze ende nuk ka lejuar hyrjen e të gjithë familjarëve dhe mediave në objekt për ta përcjellë seancën.

Një pjesë e familjarëve tashmë janë futur brenda objektit, ndërsa të tjerët, së bashku me përfaqësues të mediave, vazhdojnë të presin.

Ndërkohë, policia që po kujdeset për rendin dhe sigurinë pranë objektit u ka bërë thirrje qytetarëve të pranishëm që të largohen nga ndërtesa dhe të shkojnë në vendin e caktuar për tubim.

Policia ka paralajmëruar se, nëse të pranishmit nuk e zbatojnë urdhrin për t’u larguar, mund të përdoret edhe forca. /rtk