Për vdekjen e ish-deputetes së PDK-së, Flora Brovina, ka reaguar ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila e ka vlerësuar atë si një grua që ia kushtoi gjithë jetën njerëzve dhe vendit të saj.
Haxhiu ka kujtuar kontributin e Brovinës në vitet më të vështira për Kosovën, veçanërisht angazhimin e saj në mbrojtje të fëmijëve dhe familjeve, si dhe qëndrimin e saj kundër dhunës dhe represionit.
“Flora Brovina ishte mjeke, humaniste dhe veprimtare për të drejtat e njeriut. Ajo u gjend pranë fëmijëve dhe familjeve në vitet më të vështira për Kosovën. Organizoi, ndihmoi, protestoi dhe ngriti zërin kundër dhunës e represionit, duke e kthyer angazhimin publik në një formë të përditshme të qëndresës”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka përmendur edhe arrestimin e Brovinës në pranverën e vitit 1999 dhe burgosjen e saj në Serbi, ku ishte dënuar me 12 vjet burg.
“Edhe kur kjo e vuri drejtpërdrejt përballë regjimit serb, nuk u tërhoq. Në pranverën e vitit 1999 u arrestua dhe u dërgua në burgjet e Serbisë, ku u dënua me 12 vjet burg. As aty nuk hoqi dorë nga bindjet e veta”, thuhet në reagimin e saj.
Sipas Haxhiut, për lirimin e Flora Brovinës ishin angazhuar organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, shkrimtarë dhe institucione nga vende të ndryshme të botës.
Në reagim është veçuar edhe kontributi i saj në letërsinë shqipe. Brovina ishte autore e poezive ku trajtoi tema si gruaja, fëmija, dhimbja, lindja, humbja dhe liria.
Pas përfundimit të luftës, Brovina vazhdoi angazhimin e saj në jetën institucionale të Kosovës. Për vite me radhë ishte deputete e Kuvendit të Kosovës dhe një nga nënshkrueset e Deklaratës së Pavarësisë.
Haxhiu ka shprehur ngushëllime për familjen Brovina dhe Begu, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që e njohën dhe e çmuan.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për Flora Brovinën”, ka përfunduar Haxhiu.


