Lajme

Mbledhja Qeverisë – Kurti kërkon votë për Presidentin, e liri për çlirimtarët

09/14/2026 15:55
nga:L J

Dy zëvendëskryeministrat, Glauk Konjufca dhe Donika Gërvalla, së bashku me pjesën tjetër të ekzekutivit, kanë mbërritur në sallën e mbledhjeve.

I fundit që mbërriti në mbledhjen solemne ishte kryeministri Albin Kurti.

Në nisje të mbledhjes, Kurti u uroi anëtarëve të kabinetit qeveritar punë të mbarë në Qeverinë Kurti 4.

Duke folur për jetëgjatësinë e qeverisë së re, Kurti theksoi rëndësinë e zgjedhjes së Presidentit dhe u bëri thirrje deputetëve që ta zgjidhin këtë çështje.

“Para nesh është sfida me qëndrimin e shprehur nga disa deputetë të LDK-së që nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim. Jemi kaq afër zgjidhjes së presidentit saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë në zgjedhje serish për të ardhur prapën në të njëjtën pikë. Ju bëj thirrje liderëve politikë, deputetëve le ta zgjidhin çështjen e presidentit. Le t’i japim vendit tonë institucionet në përputhje me vullnetin qytetar dhe le të ecim përpara”, deklaroi Albin Kurti.

Kur kanë mbetur më pak se 48 orë nga shpallja e aktgjykimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kurti tha se beson në rikthimin e tyre në vendlindje.

“Për ne është gjithçka e qartë, rezistenca dhe lufta jonë ka qenë e drejtë, çlirimtare dhe kundrejt një pushtuesi, i cili kreu krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Besojmë e urojmë që edhe verdikti i së mërkurës të jetë në përputhje me këtë të drejtë dhe drejtuesit e UÇK-së të kthehen në vendin e tyre, më pranë familjeve”, ka thënë kryeministri Kurti.

Me 62 vota për, 8 kundër dhe asnjë abstenim, Kurti të dielën mori mandatin e katërt si kryeministër i Kosovës.

Në votim nuk mori pjesë asnjëra prej partive opozitare.