Lajme

Gjini: Njerëzit që i keni votuar, i kanë uzurpuar institucionet

09/11/2026 18:27
nga:L J

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar përmes një video-mesazhi drejtuar qytetarëve të Kosovës lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës.

Gjini ka thënë se situata në Kuvend ka kaluar përtej shkeljeve të Kushtetutës, ligjit dhe Rregullores së Kuvendit, duke e cilësuar atë që ndodhi sot si shfaqje të “anës së errët njerëzore” të atyre që janë zgjedhur nga qytetarët.

“Ajo që po e shohim në Kuvendin e Kosovës këto ditë, e posaçërisht ajo që e pamë sot, tashmë ka kaluar prej nivelit të shkeljeve brutale të Kushtetutës, të ligjit dhe të Rregullores së Kuvendit. Sot e kemi parë edhe anën e errët njerëzore të atyre që janë zgjedhur”, ka deklaruar Gjini.

Ai ka theksuar se zhvillimet në Kuvend, sipas tij, nuk janë të rastësishme, por pjesë e një procesi që synon fajësimin dhe përcaktimin e datës së zgjedhjeve.

“Gjithçka është proces i fajësimit dhe i zgjedhjes së datës së zgjedhjeve. Njerëzit të cilët ju i keni votuar i kanë uzurpuar institucionet e Kosovës”, është shprehur ai.

Gjini i ka bërë thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e ardhshme të mos i votojnë më këta njerëz, duke i akuzuar se po e dëmtojnë shtetin, institucionet dhe të ardhmen e vendit.

“Mos i votoni më! Mos i votoni më, mos lejoni që kjo kastë e njerëzve, këta njerëz që nuk e duan Kosovën, nuk ju duan as juve që i votoni, mos e lejoni më me e shkatërru Kosovën”, ka thënë Gjini.

Ai ka paralajmëruar se Kosova do të shkojë në zgjedhje, sipas tij, për shkak të vendimit të atyre që aktualisht po udhëheqin proceset institucionale.

“Kemi me shku në zgjedhje se vetë kanë vendos me shku në zgjedhje. Është detyrë e juaja dhe e jona, e secilit që jeton në Kosovë, me e mbrojt shtetin dhe me e mbrojt demokracinë prej shkatërrimit që po ia shkaktojnë këta njerëz vendit tonë”, ka deklaruar ai.

Në fund, Gjini u ka bërë thirrje qytetarëve që, siç tha, t’i ndalin këta njerëz.

“Ndalini këta njerëz! Ndalini, se vetë nuk e kanë në plan me u ndalë!”, përfundoi Gjini.

Deklarimi i plotë i tij: