Lajme

Kurti merr pjesë në hapjen e ekspozitës “ Still Running” të Xhevdet Xhafës

09/10/2026 22:34
nga:L J

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Still Running” të Xhevdet Xhafës, e cila u hap në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Duke vlerësuar se kjo ekspozitë është një mundësi e jashtëzakonshme, posaçërisht për brezat e rinj, kryeministri Kurti tha se shtatë dekada krijimtari janë shumë më tepër se një periudhë kohore, janë shtatë dekada të historisë sonë, të ndryshimeve shoqërore, kulturore e politike, të përpjekjeve të panumërta e transformimeve të mëdha që ka kaluar vendi ynë Kosova.

“Përgjatë gjithë këtyre viteve, Xhafa ka qenë dëshmitar, por edhe krijues aktiv i kësaj historie. Vepra e tij është pjesë e kujtesës sonë kulturore. Është pjesë e rrugëtimit të artit pamor në Kosovë dhe një konfirmim i fuqisë që ka arti për të tejkaluar kohën, rrethanat dhe kufijtë”, tha kryeministri Kurti.

Më tej, kryeministri Kurti e cilësoi këtë si një moment të veçantë për Galerinë Kombëtare të Kosovës, duke thënë se pas një periudhe të gjatë pune, përkushtimi dhe transformimi, rikthimi i këtij institucioni në jetën kulturore të vendit merr një domethënie të posaçme pikërisht përmes një ekspozite të këtillë.

“Institucionet kulturore nuk janë vetëm ndërtesa. Ato janë hapësira ku ruhet kujtesa, ku prezantohet krijimtaria dhe ku ndërtohet dialogu ndërmjet brezave. Galeria Kombëtare e Kosovës ka përgjegjësinë që këtë trashëgimi ta ruajë, ta promovojë dhe ta bëjë të qasshme për publikun, por edhe ta prezantojë artin e Kosovës në botë. Andaj, hapja e kësaj ekspozite është një moment i rëndësishëm edhe për vetë institucionin”, u shpreh kryeministri Kurti.

Ai shprehu mirënjohje për familjen Xhafa, e cila ka dhënë një kontribut kaq të çmueshëm në realizimin dhe kurimin e kësaj ekspozite, duke theksuar se është një shembull i bukur se si familja, institucioni dhe komuniteti artistik mund të bashkohen për të ruajtur dhe përcjellë një trashëgimi të çmuar.