Biznesmeni dhe investitori, Behgjet Pacolli ka publikuar deklaratën zyrtare të kompanisë MABCO Constructions SA lidhur me takimin e zhvilluar me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, në kuadër të situatës së krijuar rreth Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Pacolli thekson se MABCO mbetet e gatshme për një zgjidhje konstruktive dhe miqësore të mosmarrëveshjes, por kërkon që çdo hap të ndërmerret në përputhje me kuadrin ligjor dhe kontraktor.
Sipas deklaratës, në takimin me Ministrinë MABCO u përfaqësua nga përfaqësuesit e saj dhe këshilltarë ligjorë nga Uashingtoni, D.C. dhe Tirana. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të 2A-së, përfaqësuesi i tyre ligjor, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe anëtarë të stafit të ministrisë.
Gjatë takimit kompania paraqiti qëndrimin e saj se një sërë veprimesh dhe mosveprimesh nga Autoriteti Kontraktor dhe autoritete të tjera publike kanë ndikuar në zbatimin e projektit dhe kanë krijuar, sipas saj, pengesa objektive për përmbushjen në kohë të disa detyrimeve kontraktore.
Kompania deklaron gjithashtu se, gjatë takimit, u bë e ditur se VIA kishte nisur procedura pranë Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC) në Londër, duke kërkuar masa të përkohshme lidhur me vendimin për zgjidhjen e Kontratës së Koncesionit.
“MABCO bëri të qartë se nuk kundërshton përmbajtjen e argumenteve teknike dhe kontraktore të paraqitura në këtë kontekst dhe se, në parim, pajtohet me këto argumente”, thuhet në deklaratë. Megjithatë, kompania thekson se ka rezervuar të gjitha të drejtat e saj si ortak lidhur me mënyrën se si janë iniciuar këto procedura.
Një nga kërkesat kryesore të MABCO-s është pezullimi i efekteve ligjore dhe praktike të njoftimit për zgjidhjen e parakohshme të Kontratës së Koncesionit.
Sipas kompanisë, vijimi i efekteve të këtij njoftimi mund të sjellë pasoja ligjore, kontraktore dhe tregtare për koncesionarin dhe palët e treta të përfshira në projekt, duke rrezikuar të komplikojë më tej rifillimin e punimeve.
Takimi i 28 gushtit, kompania e cilëson si një zhvillim pozitiv, ndërsa ka shprehur keqardhjen që një dialog i tillë nuk është zhvilluar më herët, pavarësisht kërkesave të përsëritura të kompanisë.
Në deklaratë, kompania shprehet e gatshme të përfundojë punimet e mbetura që janë brenda përgjegjësive të saj, me synim nisjen e procesit të certifikimit teknik dhe përgatitjen e aeroportit për operim.
“Objektivi përfundimtar duhet të mbetet i njëjtë për të gjitha palët: përfundimi i punimeve të mbetura, fillimi i procesit të certifikimit teknik dhe vënia në operim e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në datën më të hershme realisht të arritshme, në interes të projektit, palëve të tij të interesuara dhe Republikës së Shqipërisë.”, thuhet në deklaratë.
Postimi i plotë:


