Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka nisur protestën në Prishtinë me moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”, pas dy rasteve të rënda të vrasjes së grave të raportuara brenda pak ditësh në Kosovë.
Protesta vjen pas rastit në Malishevë, ku një 25-vjeçare, e cila ishte në javën e 34-t të shtatzënisë, u vra me armë zjarri. Për rastin dyshohej bashkëshorti i saj 26-vjeçar, i cili më pas ndërroi jetë në QKUK.
Rasti i dytë ndodhi në Prizren, ku një 80-vjeçare dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj 81-vjeçar. Sipas Policisë, në trupin e viktimës u evidentuan lëndime që dyshohet se janë shkaktuar me forcë fizike, ndërsa i dyshuari është arrestuar.
Përmes protestës, organizatorët kërkojnë që siguria e grave të trajtohet si çështje me urgjencë kombëtare, përgjegjësi institucionale dhe masa më të fuqishme për parandalimin e vrasjeve dhe dhunës ndaj grave. Ndër kërkesat e tyre është edhe kodifikimi i femicidit si vepër e veçantë penale.


