Lajme

Haxhiu kritikon vonesat në subvencionimin e teksteve shkollore: Papërgjegjësi totale

08/28/2026 10:45
nga:L J

Deputetja e PDK-së, Teuta Haxhiu, ka kritikuar vonesat në procesin e përgatitjes së teksteve shkollore për vitin e ri shkollor, duke e cilësuar si neglizhencë dhe papërgjegjësi të pushtetit.

Haxhiu, në një konferencë për media, tha se në veçanti përgjegjësinë e mban ish-ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, duke ngritur shqetësime edhe për afatet e përcaktuara me ligj dhe udhëzime administrative.

“Arsyeja e thirjes së kësaj konference është pikërisht neglizhenca papërgjegjësia e këtij pushteti, përkatësisht e ministrit, ish-ministrit Çeku, aktualisht deputetit Çeku, në moskryerjen e detyrave që kërkojnë që dalin nga Ligji për Arsimin Parauniversitar dhe nga Udhëzimi Administrativ 13/2016 për subvencionimin e teksteve mësimore për nxënësit e Republikës së Kosovës. Pra, ky vit shkollor do të duhej të priste gjithë nxënësit, duke filluar nga ata të klasës para-përgatitore e deri në arsimin e mesëm, por si arsim i obliguar deri në klasën e nëntë, t’i priste me përgatitjet më të larta në cilindo nivel”, ka thënë ajo.

Sipas Haxhiut, miratimi i katalogut më 27 gusht ka krijuar presion te prindërit, të cilët duhet t’i pajisin fëmijët me tekstet shkollore para fillimit të vitit të ri shkollor.

“Pra, miratimi i katalogut dje, që ka qenë data 27, jo vetëm që është i vonuar, por është një presion që është bërë tek prindërit, të cilët, normal që fëmijët e tyre kanë protë të pajisen me tekste, njëkohësisht të jemi gati që të fillojë një vit i mbarë shkollor. Derivatet që janë, ato që dalin nga Ligji për Arsimin Parauniversitar dhe në udhëzimin që përmenda pra, Udhëzimi 13/2016, i përcakton qartë detyrat e ministrisë. Ministria është e obliguar që t’i pajisë të gjithë nxënësit pra, që i përkasin arsimit të obliguar, që nga klasa para-shkollore, edhe pse në klasën para-shkollore ose para-përgatitore nuk ka sot e kësaj dite një udhëzim administrativ, edhe pse Ligji për Arsimin Parauniversitar i miratuar në 2011 e parasheh që të rregullohet edhe të subvencionohet edhe ky grup i nxënësve”, ka shtuar Haxhiu.

Ajo tha se Ministria e Arsimit ka pasur afate të qarta për përfundimin e procedurave, ndërsa drejtoritë komunale është dashur t’i dorëzojnë raportet përfundimtare deri më 15 korrik.

“Ministria ka detyrën që në muajin qershor të themelojë një komision që negocion çmimin me shtëpitë botuese. Po flasim për muajin qershor. Pastaj dërgohet edhe katalogu në drejtoritë komunale, e këto e dërgojnë te shkollat. Flas me përgjegjësi, ngase kam qenë drejtoreshë e shkollës, dhe afati 15 korrik është afati i fundit kur drejtoritë përgatisin raportet për t’i dërguar në ministri”.

Haxhiu kritikoi ashpër vonesat, duke thënë se koha në dispozicion ka qenë e mjaftueshme për përgatitjet.

“Pra, po flasim për 15 korrikun. Llogaritni prej atëherë deri më datën 27 gusht sa ditë kanë pasur kohë për t’u përgatitur. Për mospërgatitje nuk nënkupton asgjë tjetër, pos papërgjegjësi totale. Këta njerëz, që vërtet gjatë gjithë këtyre gjashtë viteve e kanë marrë detyrën dhe e kanë kryer si me qenë praktikantë, kështu si praktikantë po veprojnë”, tha Haxhiu.

Ajo kritikoi gjithashtu ish-ministrin e Kulturës, Hajrulla Çekun, duke e akuzuar për bllokim të Komunës së Prishtinës dhe jetës kulturore në kryeqytet.

“Mospërgatitja nuk nënkupton asgjë tjetër vetëm se papërgjegjësi totale. Këta njerëz që vërtet gjatë gjithë këtyre gjashtë viteve e kanë marrë detyrën dhe e kanë kryer si me qenë praktikanta, kështu si praktikanta edhe po veprojnë. Krejt që mund të them se ministri, ish-ministri i arsimit, ish-ministri i kulturës, deputeti aktual Çeku mbahet mend vetëm si bllokues i Komunës së Prishtinës, përkatësisht i jetës kulturore në Prishtinë”, u shpreh ajo.

Në konferencë, Haxhiu prezantoi edhe disa fatura, për të cilat tha se janë publikuar në komentet e faqes së Ministrisë së Arsimit dhe se tregojnë mospërputhje mes vlerës së subvencionimit dhe kostos së teksteve.

“Unë i kam marrë këto pikërisht në faqen e ministrisë, në komentet që kanë shkruar prindërit, pra janë faturat që ata kanë, pra vlerën e teksteve totale, domethënë edhe subvencionimin. Për shembull, klasa e parë i ka 63 euro e 87 centë, kurse 60 euro janë subvencionim. Shto këtu që nuk ka subvencionim për lëndët zgjedhore që janë obligative.

Në pjesën tjetër, për shembull, kemi një vlerë tjetër, 105.80 euro, kurse subvencionimi për klasën e gjashtë është 90 euro.

Këtu pra, po them, asnjëherë nuk janë përfshirë lëndët zgjedhore që janë obligative, që janë fletoret e punës, që patjetër sepse mësimdhënësit ua kërkojnë nxënësve. Shto pjesën tjetër të çantave, fletoreve, lapsave, mjeteve të gjeometrisë dhe çdo lëndë që kërkon mësimdhënësi, normal që ka me i kërkuar prej fëmijës e prindi detyrohet me i blerë. Kemi një faturë tjetër po ashtu të klasës së nëntë, që është 122.60 euro, subvencionimi është 90 euro. Gjithkund po në katalogun e ministrisë nuk figuron pra vlera për tekstet të lëndëve zgjedhore që janë obligative, sepse ministria i ka në secilën shkollë janë lëndë që zgjidhen në procedura siç i parasheh edhe udhëzimi administrativ”, deklaroi Haxhiu.