Lajme

Festa që u kthye në tragjedi në Greqi: Shqiptarja dyshohet se u vra nga bashkëshorti, djali mbajti trupin e saj deri në spital

08/27/2026 09:25
nga:L J

Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën Rodhopi në Greqi gjatë ditës së mërkurë, ku 44-vjeçarja shqiptare, Esma Meço dyshohet se u vra me thikë nga bashkëshorti i saj 53-vjeçar, Bujar Meço.

Sipas mediave greke, gruaja kishte kohë që ishte larguar nga shtëpia dhe punonte sezonalisht në ishullin Thasos, ndërsa ishte kthyer në fshatin Dialambi për të festuar ditëlindjen e vajzës së saj 16-vjeçare.

Festimi familjar përfundoi në tragjedi. 53-vjeçari dyshohet se e sulmoi gruan dhe e goditi me thikë në qafë, duke i shkaktuar plagë fatale

Pas ngjarjes, djali 19-vjeçar i çiftit e mori nënën e tij të gjakosur në krahë dhe e çoi në spital, me shpresën se mund të shpëtonte. Megjithatë, mjekët e njoftuan të riun se nëna e tij kishte vdekur.

Ndërkohë, vajza 16-vjeçare, e cila ndodhej në një dhomë tjetër të banesës, dyshohet se ka telefonuar autoritetet për të njoftuar për sulmin. Të dy fëmijët ndodhen në gjendje shoku.

Pas sulmit, 53-vjeçari dyshohet se është vetëplagosur dhe ka konsumuar naftë, në tentativë për t’i dhënë fund jetës. Ai u transportua në spital, ku po trajtohet nën kujdesin e policisë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka sekuestruar dy thika nga vendi i ngjarjes, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e krimit.