Lajme

Pas aksionit para Qeverisë, Musliu i drejtohet Policisë: Lexojeni ligjin

08/27/2026 08:49
nga:L J

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar pas aksionit të deputetëve të PDK-së dhe Aleancës para objektit të Qeverisë së Kosovës, ku sipas saj u është penguar qasja në institucion.

Musliu, përmes një postimi në Facebook, i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që ta lexojë Ligjin Nr. 03/L-111 për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, duke iu referuar në veçanti Nenit 11 për qasjen e deputetëve në institucionet publike.

Ajo ka cituar pikën e parë të këtij neni, sipas së cilës kartela e identitetit e deputetit garanton hyrje të lirë në të gjitha organet shtetërore dhe të administratës publike.

“Policia e Kosovës është institucion i Republikës së Kosovës dhe duhet t’i nënshtrohet Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, e jo urdhrave politikë, nga kushdo qofshin ata”, ka shkruar Musliu.

Deputetja ka deklaruar se gjatë 16 viteve të saj në Kuvend ka punuar për një Polici profesionale, me integritet dhe dinjitet.

“Ligji është mbi politikën. Kushtetuta është mbi çdo urdhër politik. Dhe këtë duhet ta dijë çdo zyrtar i Policisë së Kosovës”, ka përfunduar ajo.