Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka nisur inspektimet ndaj udhërrëfyesve turistikë që ushtrojnë veprimtarinë pa licencë në Kosovë.
Sipas njoftimit, inspektimet gjatë ditës së sotme po zhvillohen në regjionet e Prizrenit, Prishtinës dhe Obiliqit, me qëllim parandalimin dhe evidentimin e rasteve të ushtrimit të paligjshëm të kësaj veprimtarie.
Në kuadër të kontrolleve, IQMT ka evidentuar edhe raste të angazhimit të udhërrëfyesve jo-vendas nga kompani turistike të vendeve të rajonit. Institucioni ka theksuar se, në rastet kur këta persona veprojnë pa licencën e nevojshme, një veprim i tillë është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, përmes IQMT-së, ka bërë të ditur se do të ndërmarrë masa ndaj operatorëve turistikë, personave juridikë, bizneseve individuale dhe personave fizikë që ushtrojnë ose mundësojnë ushtrimin e veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik pa licencë.
Ushtrimi i kësaj veprimtarie në kundërshtim me ligjin përbën kundërvajtje dhe dënohet me gjobë prej 3 mijë deri në 9 mijë euro.
IQMT u ka bërë thirrje operatorëve turistikë që udhërrëfyesit t’i angazhojnë në mënyrë të ligjshme dhe në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara.
Sipas institucionit, angazhimi i udhërrëfyesve vendorë të licencuar kontribuon në informimin e saktë të vizitorëve, respektimin e legjislacionit dhe promovimin e trashëgimisë dhe vlerave turistike të Kosovës.


