Lajme

Reagon Aleanca: Dokumenti që publikoi Rizvanolli është i 17 prillit 2017, pesë muaj para se të votohej Qeveria Haradinaj

08/24/2026 14:37
nga:Genita C

Aleanca ka reaguar ndaj ministres në detyrë, Artane Rizvanolli, duke e akuzuar për përpjekje për të fshehur, siç pretendon, skandalet dhe bashkëpunimin me Serbinë, raporton GazetaBlic.

Nga Aleanca kanë thënë se dokumenti i publikuar nga Rizvanolli daton nga 17 prilli 2017, ndërsa Qeveria Haradinaj ishte votuar më 9 shtator të po atij viti.

Ministrja Rizvanolli e pranon se vagonët janë riparuar në Serbi, por thotë se ka ndodhur edhe në vitin 2017

Po ashtu, kanë kërkuar përgjigje për praninë e ekspertëve nga Serbia në Trainkos dhe për largimet e punëtorëve nga ndërmarrjet publike.

Reagimi i plotë:

Deputetja Rizvanolli, e cila jashtëligjshëm ka uzurpuar postin e Ministres, për të cilën do të japë përgjegjësi, po përpiqet t’i fshehë skandalet e saj aktuale të bashkëpunimit me Serbinë.

Dokumenti që deputetja Rizvanolli ka publikuar në profilin e saj zyrtar i takon datës 17 prill 2017, ndërsa Qeveria Haradinaj është votuar më 9 shtator 2017, plot pesë muaj pas dokumentit të cilit ajo po i referohet.

Në vend që të merret me dështimet dhe bashkëpunimet e saj skandaloze, ministrja duhet t’u përgjigjet qytetarëve se edhe sa punëtorë të tjerë të ndërmarrjeve publike po i kërcënojnë me largim nga puna, vetëm pse po ua shfaqin skandalet dhe po guxojnë të thonë të vërtetën në rrjete sociale, siç është rasti i fundit në Trainkos.

Tregojini opinionit se pse edhe sot e kësaj dite, këta ekspertë nga Serbia gjenden dhe operojnë lirshëm brenda hapësirave të Trainkos.

Nuk pritet asgjë përpos gënjeshtrave prej njerëzve që ilegalisht i kanë uzurpuar institucionet e shtetit dhe për të cilët, e ritheksojmë edhe një herë, se do të japin përgjegjësi.