Albulena Haxhiu, ka reaguar pasi sot ua ka dhënë shtetësinë e Republikës së Kosovës Joseph DioGuardit dhe Shirley Cloyes DioGuardit, raporton GazetaBlic.
Haxhiu i ka vlerësuar për kontributin e tyre shumëvjeçar në mbështetje të Kosovës, duke theksuar se ata kanë promovuar të vërtetën për shqiptarët e Kosovës dhe kanë kundërshtuar propagandën e Beogradit.
Postimi i plotë:
Sot pata nderin t’ua jap shtetësinë e Republikës së Kosovës Joseph DioGuardit dhe Shirley Cloyes DioGuardit.
Joe dhe Shirley i kanë dalë zot Kosovës atëherë kur emri i saj mezi dëgjohej në Washington. Kanë folur për të në Kongres, kanë sjellë dëshmi, kanë kundërshtuar propagandën e Beogradit dhe kanë ndihmuar që e vërteta për shqiptarët e Kosovës të mbërrijë te njerëzit që mund të ndikonin në rrjedhën e ngjarjeve. E kanë vazhduar këtë punë për vite, para, gjatë dhe pas luftës, me një përkushtim që Kosova nuk e ka harruar.
Prandaj, sot ishte një ditë e veçantë. Dy njerëz që për dekada kanë qenë miq të Kosovës, prej sot janë edhe qytetarë të Republikës së Kosovës.
Urime, Joe dhe Shirley, dhe faleminderit për gjithçka që keni bërë për Kosovën.


