Lajme

Policia konfirmon vdekjen e gruas në Malishevë: Çifti u gjet i plagosur në dhomën e gjumit

08/24/2026 08:05
nga:Genita C

Një grua ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit, ndërsa bashkëshorti i saj ka mbetur i plagosur, në një rast që ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Kërvasari të Malishevës.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, ka bërë të ditur për GazetaBlic se Policia është njoftuar për rastin më 23 gusht 2026, rreth orës 23:20.

Sipas saj, njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku në një dhomë gjumi kanë gjetur dy persona, një çift bashkëshortor, të plagosur nga arma e zjarrit.

Të plagosurve u është ofruar ndihma e parë mjekësore, ndërsa më pas janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast.

“Rreth orës 01:10, nga QKUK jemi njoftuar se viktima femër, e moshës madhore, ka ndërruar jetë”, ka deklaruar Vlera Krasniqi.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit, me vendimin e të cilit rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti janë duke vazhduar.