Një ngjarje tragjike ka ndodhur në stadiumin “The Valley”, shtëpia e Charlton Athletic, ku një 33-vjeçar u gjet i pajetë të martën në mëngjes.
Policia dhe shërbimet e emergjencës u thirrën në stadium rreth orës 11:15, pas shqetësimeve për gjendjen e një personi. Burri u gjet në ambientet e stadiumit dhe u shpall i vdekur në vendngjarje. Familjarët e tij janë njoftuar dhe po mbështeten nga autoritetet.
Policia Metropolitane po heton rrethanat e vdekjes dhe po shqyrton mundësinë që 33-vjeçari të ketë rënë nga një lartësi gjatë orëve të para të së hënës. Vdekja aktualisht po trajtohet si e papritur, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht atë që ka ndodhur.
Charlton Athletic reagoi përmes një deklarate zyrtare, duke konfirmuar se po bashkëpunon me policinë në hetime dhe duke shprehur ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e viktimës. Klubi gjithashtu theksoi se nuk ka asnjë të dhënë që sugjeron ndonjë shkelje apo përfshirje të tij në ngjarje.
Për shkak të situatës, ndeshja e ekipit U21 të Charltonit ndaj Bolton Wanderers, e planifikuar për t’u zhvilluar në “The Valley” të martën, u zhvendos në qendrën stërvitore të klubit, “Sparrows Lane”.
Ngjarja ndodhi vetëm pak ditë pasi Charlton zhvilloi ndeshjen e parë në shtëpi në Championship për këtë sezon. Të shtunën, skuadra fitoi 2-1 ndaj Derby County në “The Valley”.
Hetimet e policisë për rrethanat e vdekjes janë ende në vazhdim.
/GazetaBlic Sport/


