Lajme

Lidhja e Bizneseve: Hapja e Urës së Ibrit forcon sigurinë dhe besimin e investitorëve

08/17/2026 15:12
nga:Genita C

Lidhja e Bizneseve të Kosovës e ka vlerësuar si hap të rëndësishëm hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër dhe kalimin e përgjegjësive te Policia e Kosovës.

Sipas tyre, lëvizja e lirë mbi urë forcon sigurinë, stabilitetin dhe imazhin e Kosovës, duke ndikuar pozitivisht edhe në besimin e investitorëve vendorë e të huaj.

“Siguria është themel i besimit. Besimi sjell investime, ndërsa investimet sjellin zhvillim”, thuhet në reagimin e Lidhjes së Bizneseve të Kosovës.

Reagimi i plotë:

Lidhja e Bizneseve të Kosovës e vlerëson si hap tejet të rëndësishëm hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër dhe kalimin e përgjegjësive te Policia e Kosovës.

Ky është një lajm pozitiv për Kosovën, i cili ndikon në imazhin e saj të brendshëm dhe të jashtëm, veçanërisht në besimin e investitorëve vendorë dhe të huaj. Sa më shumë siguri dhe stabilitet, aq më shumë besim, investime dhe zhvillim ekonomik.

Qarkullimi i lirshëm mbi urën kryesore të Ibrit nuk është vetëm një hap që bashkon njerëzit, por edhe një hap i rëndësishëm drejt forcimit të sovranitetit, sigurisë dhe paqes së qëndrueshme në vend.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës shpreh mirënjohje për të gjitha institucionet që kanë kontribuar ndër vite për të arritur deri këtu, e në veçanti për Policinë e Kosovës, e cila vazhdon të mbajë barrën kryesore për garantimin e sigurisë në çdo pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.

Siguria është themel i besimit. Besimi sjell investime. Investimet sjellin zhvillim