Fehim Sali, i arrestuar nën dyshimin për spiunazh, rezulton të jetë pronar i një kompanie të regjistruar në sektorin e energjisë elektrike.
Të dhënat publike të regjistrit të bizneseve tregojnë se ai zotëron 100 për qind të “Wind Energy” SH.P.K., kompani kjo e regjistruar për prodhimin e energjisë elektrike.
Fehim Sali është arrestuar nën dyshimin për veprën penale të spiunazhit. Ai dyshohet të ketë pasur lidhje me shërbimin sekret serb BIA.
Por, përveç dyshimeve që lidhen me rastin penal, në bazë të të dhënave publike, Sali është i përfshirë në sektorin e energjisë.
Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve, “Wind Energy” SH.P.K. është regjistruar më 15 gusht 2022. Kompania është e regjistruar në Kërstec të Dragashit.
Në regjistër, aktiviteti kryesor i saj figuron si “Prodhimi i energjisë elektrike”. Kompania ka kapital të deklaruar prej 100 mijë eurosh dhe në të figurojnë dy punëtorë.
Fehim Sali figuron si pronar i 100 për qind të “Wind Energy” SH.P.K., si dhe si drejtor menaxhues i saj, raporton insajderi.



