Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje lidhur me procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, raporton GazetaBlic
Deputetët e PDK-së, pas konferencës, janë zhvendosur drejt Kuvendit, ku po vazhdojnë aksionin e tyre lidhur me situatën e krijuar rreth konstituimit të legjislativit.
Duke folur për pozitën e kryetarit të Kuvendit, Gruda tha se Vetëvendosje gjatë vitit të kaluar i kishte thirrur deputetët vazhdimisht për të votuar një kandidat, edhe pse, sipas tij, nuk kishte votat e nevojshme.
“Vetëvendosja vitin e kaluar na thirrnin e na torturonin tërë verën me propozim pa vota, e tash që i kanë votat, nuk bëjnë propozim”, tha Gruda.
PDK-ja ka kërkuar që procesi i konstituimit të Kuvendit të vazhdojë dhe ka kundërshtuar zvarritjen e procedurave për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Aksioni i deputetëve të PDK-së pritet të vazhdojë edhe gjatë ditës në Kuvend, ndërsa mbetet e paqartë se si do të zhvillohet më tej procesi për konstituimin e legjislativit.


