Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, në një intervistë në emisionin “Adresa” në Kanal 10, ka ngritur alarmin për situatën aktuale politike dhe tensionet në vend.
Gjini ka kritikuar ashpër qasjen e pushtetit ndaj institucioneve, rendit kushtetues dhe vetë identitetit të shtetit të Kosovës.
Gjatë kësaj interviste, kryetari i Aleancës u ndal te përplasjet e fundit në Kuvendin e Kosovës, duke paralajmëruar se situata mund të eskalojë edhe më tej nëse vazhdohet me injorimin e rregullave demokratike.
“Mundet me ndodhë që këto tensione me dalë prej kudo, në parlament e në rrugë. Unë po ju them që ka ndodhë me Time Kadrijajn, ka ndodhë sot përplasje në Kuvend, ka mujtë me ndodhë çka do tjetër, po gjithmonë mundet me dalë dikush që s’e toleron situatën në të cilën jemi,” deklaroi Gjini.
Në analizën e tij, ai vuri theksin te rreziku i relativizimit të emrit dhe kuptimit të shtetit, duke kritikuar tendencën për t’iu referuar vendit vetëm si “Republikë”, duke ia humbur peshën emocionale dhe historike emrit të Kosovës.
“Ata që Kosovës i referohen si ‘Republikë’ po e zhveshin prej emocionit. Kosova është vendi jonë, jo ‘Republika’. Kosova zgjon emocion, Kosova është shteti jonë, jo ‘Republika’. Vetë fakti që e relativizon edhe emrin e vendit është brutal,” u shpreh ai.
Gjini po ashtu theksoi se shoqëria kosovare është dinamike dhe nuk mund të qëndrojë pasive përballë shkeljeve ligjore dhe kushtetuese.
Ai akuzoi eksponentët politikë që, sipas tij, po e çojnë vendin drejt një rruge të rrezikshme për interesa të pastra partiake.
“Shoqëritë vibrante si Kosova nuk mundet me qenë shoqëri si copa që rrijnë edhe dikush bën çka do, edhe ata rrijnë qaty. Ka segmente të shoqërisë që nuk po e kuptojnë seriozitetin e situatës. Nuk janë duke kuptu që kjo është rruga më e zhbë shtetin e Kosovës. Kushdo që me vetëdije, për interesa puro politike, e shkel Kushtetutën në vazhdimësi, është super kriminel, se e ka thënë vetë,” nënvizoi Gjini.
Në mbyllje të reagimit të tij, kryetari i Aleancës bëri thirrje për reflektim, duke porositur se respektimi i rregullave të demokracisë është shtylla kryesore e ekzistencës së shtetit.
Sipas tij, sjelljet e tanishme politike po japin një mesazh jashtëzakonisht negativ për vendin.
“Mosrespektimi i rregullave në demokraci e zhbën një shtet. Jemi duke çu mesazh që s’po e dojmë Kosovën,” përfundoi kryetari i Aleancës, Ardian Gjini.


