Sporti

Xavi Hernandez, kandidati kryesor për stolin e Holandës

08/12/2026 20:14
nga:Mergim Rreci

Xavi Hernandez mund të jetë trajneri i ardhshëm i Holandës! Ish-trajneri i Barcelonës ka hyrë në bisedime me Federatën Holandeze të Futbollit për të marrë drejtimin e kombëtares.

Sipas gazetarit holandez Mike Verweij, kontaktet mes palëve tashmë kanë nisur dhe Xavi është aktualisht kandidati kryesor për postin. Raportime të tjera nga mediat holandeze konfirmojnë se KNVB ka zhvilluar bisedime me spanjollin për këtë rol.

Federata Holandeze dëshiron ta mbyllë sa më shpejt procesin dhe synon të ketë trajnerin e ri të emëruar përpara pushimit të ardhshëm ndërkombëtar.

Xavi, i cili është pa skuadër që prej largimit nga Barcelona, e sheh mundësinë e drejtimit të një kombëtareje si një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij si trajner. Në garë për postin raportohet se është edhe Roberto Martinez, ndaj vendimi përfundimtar i KNVB pritet me interes të madh.

Nëse marrëveshja arrihet, Xavi do të përballej me një sfidë të madhe: të rikthejë Holandën në elitën e futbollit ndërkombëtar dhe të ndërtojë një skuadër konkurruese për ciklin e ardhshëm.

/GazetaBlic Sport/