Barcelona ka shtuar Castello Lukeba në listën e objektivave për repartin e mbrojtjes, teksa klubi katalanas po kërkon një qendërmbrojtës të ri pas largimit të Ronald Araujos.
Lajmi raportohet nga mediumi Sport dhe vjen në një moment kur Barça po shqyrton disa alternativa për të riformuar prapavijën.
Mbrojtësi francez i RB Leipzig vlerësohet mbi 30 milionë euro dhe konsiderohet një profil shumë interesant nga drejtori sportiv Deco dhe trajneri Hansi Flick. Lukeba, vetëm 23 vjeç, shihet si një investim për të ardhmen, por edhe si një futbollist i gatshëm për të konkurruar menjëherë në nivelet më të larta.
Interesi i Barcelonës lidhet edhe me situatën e krijuar pas largimit të Ronald Araújos, ndërsa e ardhmja e Jules Kounde mbetet gjithashtu një çështje për t’u zgjidhur. Raportime të fundit sugjerojnë se Barça po vlerëson mundësinë e ndryshimeve të rëndësishme në repartin defensiv.
Lukeba është një qendërmbrojtës me këmbë të majtë, profil që mund t’i përshtatet mirë kërkesave të Flick dhe mënyrës së lojës së Barcelonës. Për momentin nuk bëhet fjalë për një marrëveshje të mbyllur, por për një objektiv që po vlerësohet seriozisht nga drejtuesit katalanas.
/GazetaBlic Sport/


