Në një deklaratë për media të dhënë sot në Kuvendin e Kosovës, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka folur për situatën e krijuar në Kuvend dhe kërkesat për thirrjen e seancës.
Haxhiu ka komentuar qëndrimet e opozitës lidhur me thirrjen e seancës, duke thënë se ato kanë ndryshuar.
“Njëherë thanë e keni tejkaluar afatin, mos thirrni seancë. Tash po thonë thirrni seancë. Unë s’po i kuptoj”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka folur edhe për veprimet e opozitës, duke theksuar se gjatë aktiviteteve të saj opozitare ka protestuar kundër marrëveshjeve që i ka konsideruar të dëmshme për vendin.
“Unë jam një nga personat që kam bërë aktivitete opozitare, e dini shumë mirë, por gjithmonë kemi protestuar kundër marrëveshjeve të dëmshme për vendin: kundër Gjykatës Speciale, kundër ‘Zajednicës’, kundër amnistimit të kriminelëve serbë, kundër demarkacionit me Malin e Zi”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka theksuar se nuk kanë protestuar kundër mërgatës apo rinisë.
“Ne s’kemi protestuar kurrë kundër mërgatës asnjëherë, as kundër rinisë, por janë qytetarët ata që i vlerësojnë veprimet e secilit prej deputetëve”, ka deklaruar Haxhiu.


