Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Baloku, në një prononcim për GazetaBlic, ka komentuar vendimin e PDK-së për të shkuar sot në Kuvend, ndonëse nuk është caktuar seancë.
Baloku ka thënë se deputetët e Kuvendit mund të shkojnë në institucion sa herë që e konsiderojnë të arsyeshme, ndërsa ka përmendur edhe vizitën e bashkatdhetarëve në Kuvend.
“Të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës mund të shkojnë në Kuvend sa herë ata mendojnë që të shkojnë aty. Sot është ditë kur i presim bashkatdhetarët në Kuvendin e Kosovës në vizitë, prandaj me siguri shumë deputetë do të jenë të pranishëm. Se çfarë ata përpiqen të tregojnë me këtë, nëse ka diçka më tepër, mbetet të shihet”, ka deklaruar Baloku për GazetaBlic.
Duke folur për zgjidhjen e situatës politike, Baloku ka përsëritur qëndrimin e VV-së se pozita e kryetarit të Kuvendit i është ofruar PDK-së.
“Në parim, unë mund të përsëris atë që është thënë më herët, që si shumicë kemi ofruar pozitën e kryetarit të Kuvendit për partinë në fjalë, në mënyrë që të hapim bashkëpunimin dhe të krijojmë institucionet për çka edhe na kanë votuar qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.
Baloku ka vlerësuar se procesi duhet të përfundojë sa më shpejt, duke thënë se zgjedhjet e reja do të ishin të panevojshme.
“Është e domosdoshme që ky proces të përfundojë njëherë e mirë, në mënyrë që të mos e dërgojnë Kosovën në zgjedhje të dështuara që janë totalisht të panevojshme. Janë humbje kohe dhe shpenzime të tepruara”, ka deklaruar Baloku.

Armend Baloku-LVV


