Lajme

“Nuk i vjen marre që po e shkel Rregulloren”, Gruda me kritika për Deharin

08/11/2026 21:50
nga:G B

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, në ”Click” të RTV21 ka kritikuar kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit, Avni Deharin, lidhur me mënyrën e menaxhimit të situatës së krijuar në Kuvend.

Gruda tha se Deharit nuk i takon të presë një marrëveshje politike për të vendosur për vazhdimin e seancës, duke theksuar se duhet të respektohen procedurat dhe Rregullorja e Kuvendit.

“Nuk i takon zotit Dehari që të presë marrëveshje politike për të komentuar marrëveshje politike. Ai duhet ta respektojë Rregulloren, siç e kemi përmendur në letër. Zotit Deharit nuk i vjen marre që e shkel, por thotë se s’ka pasoja. Është duke bërë një gjest që nuk i falet”, tha Gruda në emisionin “Click” në RTV21.