Analisti politik, Ardian Bytyqi, në një prononcim për GazetaBlic, ka komentuar situatën aktuale politike dhe ngërçin institucional në Kosovë, duke thënë se vendi ka hyrë në një terren kushtetues të pashkelur më parë.
Bytyqi ka kritikuar subjektet politike për mënyrën se si, sipas tij, po e shfrytëzojnë situatën aktuale, ndërsa ka thënë se pasojat e bllokadave institucionale po i paguajnë qytetarët.
“Realisht ne kemi hyrë në një terren kushtetues të pashkelur më parë dhe, si për ironi, subjektet politike po e shfrytëzojnë këtë, e që nuk do të duhej ta bënin, sepse bllokadat e tilla dhe ngërçet janë faturë që po e paguajnë qytetarët e Kosovës që nga 9 shkurti i vitit 2025”, ka thënë Bytyqi.
Sa i përket përgjegjësisë për situatën aktuale, Bytyqi ka thënë se ajo nuk mund t’i atribuohet vetëm një subjekti politik, por ka veçuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Mendoj se përgjegjësi kryesore nuk ka, por përgjegjësi mbajnë të gjitha subjektet shqiptare. Ndërsa, në këto rrethana që ne ndodhemi, faji më së shumti i takon Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike, që i ka bërë qytetarët e Kosovës të besojnë se ato tashmë kishin arritur një koalicion mes vete, por që doli se ishte një blof që pastaj të shndërrohej në pazar politik, në ndarje të posteve”, është shprehur ai për GazetaBlic.
Bytyqi nuk pret që partitë politike të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për zhbllokimin e situatës, duke thënë se vendi aktualisht është më afër zgjedhjeve të reja.
“Bazuar në deklaratat e kryetarit të LDK-së, z. Abdixhiku, nuk besoj se do të kemi një marrëveshje politike gjithëpërfshirëse e cila do të balanconte pushtet, e që kjo lë të nënkuptohet se Lëvizja Vetëvendosje nuk ia jep postin e presidentit. Prandaj, mbi bazën e kërkesës së LDK-së se duhet ta marrë presidencën – se i takon – kjo edhe e bën një koalicion të pamundur. Prandaj, jemi më afër zgjedhjeve se zgjidhjes politike”, ka deklaruar Bytyqi.
Ai ka folur edhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, duke parashikuar një pjesëmarrje më të ulët të qytetarëve.
“Nëse shkojmë drejt zgjedhjeve, atëherë do të shohim një abstenim edhe më të madh të votuesve, që mbase edhe është e drejtë e që do të duhej të ndodhë si shenjë pakënaqësie ndaj politikanëve të papërgjegjshëm”, ka thënë ai.
Sipas Bytyqit, një pjesëmarrje më e ulët do t’i prekte të gjitha subjektet politike, ndërsa nuk pret ndryshime të mëdha në përbërjen e Kuvendit pas zgjedhjeve të reja.
“Ndëshkimi me mosdalje në zgjedhje do t’i prekë të gjitha subjektet politike, si me zgjedhjet e 7 qershorit, kur mbi 130 mijë votues iu thanë JO subjekteve politike që duan pazare, duke mos ofruar zgjidhje. Edhe pse mosdalja në zgjedhje do t’i prekë të gjitha partitë politike, mendoj se me numër të deputetëve nuk do të ketë lëvizje të mëdha, sa që pas zgjedhjeve të llogarisim se dikush mund të bëjë kapërcimin e madh”, ka përfunduar Bytyqi.


