Lajme

Myrtezaj: Do të vijë dita kur Ukraina do ta njohë shtetësinë e Kosovës

08/10/2026 08:09
nga:G B

Profesori i diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Valon Murtezaj, ka deklaruar se beson se do të vijë dita kur Ukraina do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Gjithmonë e mbaj besimin e fuqishëm se ajo ditë kur shteti i Ukrainës do ta njohë Kosovën do të vijë dhe përplasjet në situata të tilla lufte, ndërmjet qoftë partive, qoftë grupeve e fraksioneve që kanë ide dhe vizione të ndryshme, janë gjithmonë prezente”, tha Murtezaj në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova.

Ai theksoi se për Kosovën janë të rëndësishme disa zhvillime, veçanërisht përfundimi i luftës në Ukrainë dhe triumfi i vlerave të lirisë.

“Megjithatë, për Kosovën janë dy-tri gjëra të rëndësishme. Është që Ukraina të jetë e lirë, që Rusia të dështojë në Ukrainë dhe pastaj vlerat e lirisë janë vetvetiu në linjë me përkrahjen ndaj Kosovës, sepse Kosova është sot shtet i pavarur pikërisht për shkak se ka besuar dhe populli i saj është angazhuar dhe është flijuar për të qenë i lirë. Prandaj, në një hark kohor më afatgjatë, jam i bindur që Ukraina do ta njohë Kosovën”, deklaroi Myrtezaj në Klan Kosova.

Kujtojmë se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së tij në Serbi pak ditë më parë, deklaroi se Ukraina vazhdon të mbajë qëndrimin e saj për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.