Lajme

QKUK: Mbi 340 pacientë morën trajtim në Emergjencë brenda 24 orëve, 47 raste nga aksidentet në trafik

08/06/2026 10:03
nga:G B

Qendra Emergjente e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka ofruar 343 shërbime mjekësore gjatë 24 orëve të fundit, duke trajtuar pacientë që kanë kërkuar ndërhyrje emergjente.

Sipas njoftimit të QKUK-së, gjatë kësaj periudhe janë realizuar 88 reanimime, ndërsa në Emergjencën Internistike janë trajtuar 108 pacientë. Po ashtu, 72 pacientë kanë marrë trajtim në Emergjencën Ortopedike, 46 në Emergjencën Kirurgjike dhe 29 pacientë janë trajtuar në Sallën e Vogël, raporton Gazeta Blic.

Sa i përket natyrës së rasteve të trajtuara, janë evidentuar dy raste të lëndimeve me armë zjarri, një rast me armë të ftohtë, katër persona të përfshirë në përleshje fizike, 47 persona të lënduar në aksidente trafiku, si dhe një rast intoksikimi.

QKUK njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë realizuar edhe 36 pranime për trajtim të mëtejmë në klinika të ndryshme, ndërsa janë regjistruar edhe dy raste të vdekjeve (exitus).