Biznesmeni dhe investitori, Behgjet Pacolli, ka njoftuar se kompania MABCO Constructions SA ka marrë shkresën zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, me të cilën është iniciuar procedura për zgjidhjen e Kontratës së Koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Përmes një reagimi publik, Pacolli tha se ky veprim synon t’i heqë investitorit të drejtat që burojnë nga kontrata e partneritetit publik-privat, duke shtuar se MABCO ka zgjedhur për më shumë se një vit dialogun institucional për të shmangur një konflikt ndërkombëtar.
Ai pretendon se gjatë kësaj periudhe kompania është përballur me tentativa për tjetërsimin e kuotave të investitorit, masa gjyqësore kontradiktore, përjashtim nga administrimi i investimit dhe bllokim të aksesit në kantier, ndërsa, sipas tij, institucionet shtetërore nuk kanë ndërhyrë për të rivendosur ligjshmërinë.
Pacolli theksoi se procedura për ndërprerjen e kontratës është iniciuar në një fazë kur projekti ndodhej pranë certifikimit, duke argumentuar se pengesat që, sipas tij, u krijuan ose u toleruan nga institucionet shtetërore, tani po përdoren si bazë për prishjen e kontratës.
Sipas tij, veprimi i Ministrisë bie ndesh me vendimin e Gjykatës së Lartë, Kontratën e Koncesionit dhe Marrëveshjen Dypalëshe për Mbrojtjen e Investimeve ndërmjet Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane.
Pacolli deklaroi gjithashtu se MABCO ka kërkuar që nga gushti i vitit 2025 një auditim të pavarur ndërkombëtar teknik dhe financiar për investimin në Aeroportin e Vlorës, por, sipas tij, kërkesa është refuzuar ose injoruar. Ai shtoi se edhe kallëzimet penale të paraqitura nga kompania nuk kanë marrë trajtim nga organet kompetente.
Në fund të reagimit, Pacolli u shpreh se, në rrethanat e krijuara, MABCO nuk ka më alternativë tjetër përveç mbrojtjes së të drejtave të saj përmes arbitrazhit ndërkombëtar, ku, sipas tij, do të paraqiten të gjitha faktet dhe provat që disponon. Ai theksoi se ky nuk është një konflikt që kompania e ka kërkuar, por pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve shtetërore.


