Lajme

Policia paralajmëron qytetarët: Kujdes nga SMS-të mashtruese për gjoba trafiku

08/05/2026 15:08
nga:L J

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka njoftuar qytetarët se edhe në rajonin e Ferizajt janë evidentuar raste të mesazheve mashtruese (SMS), të cilat dërgohen në emër të Policisë së Kosovës, duke pretenduar në mënyrë të rreme se qytetarët kanë gjoba trafiku.

Sipas policisë, në këto mesazhe qytetarët ftohen të klikojnë në lidhje (linke) për të kryer pagesa, mirëpo bëhet fjalë për tentativa mashtrimi dhe mesazhet nuk janë zyrtare, raporton Gazeta Blic.

Policia u bën thirrje qytetarëve që të mos klikojnë në linke të dyshimta, të mos japin të dhëna personale apo bankare dhe të mos kryejnë pagesa përmes lidhjeve të dërguara me SMS.

Në rast se qytetarët pranojnë një mesazh të tillë, rekomandohet që ta fshijnë menjëherë, ta raportojnë rastin në stacionin më të afërt të Policisë së Kosovës dhe të kontaktojnë bankën e tyre nëse kanë ndarë të dhëna personale ose bankare.

Po ashtu, rastet mund të raportohen edhe përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose duke telefonuar në numrin 192.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj apelon për kujdes të shtuar ndaj mashtrimeve online dhe bashkëpunim me Policinë e Kosovës për parandalimin e rasteve të tilla.