Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se, në koordinim me Policinë e Kosovës, po vazhdojnë intensivisht hetimet lidhur me rastin e krimeve të luftës në komunën e Zubin Potokut.
Sipas komunikatës së Prokurorisë, deri më tani janë arrestuar tre persona nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Gjatë hetimeve janë kontrolluar disa lokacione. Në fshatin Jabukë janë gjetur mbetje, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për identifikim, ndërsa gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël po vazhdojnë, raporton Gazeta Blic.
Prokuroria Speciale njofton se aktualisht hetimet po zhvillohen edhe në një lokacion të tretë. Prokurorja e rastit ka qenë në vendngjarje së bashku me hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe ekspertët forenzikë për të mbikëqyrur veprimet hetimore.
Për shkak të fazës së ndjeshme të hetimeve, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se nuk mund të japë informacione të tjera në këtë fazë, duke shtuar se detaje shtesë do të publikohen kur kjo të jetë e mundur pa cenuar procesin hetimor.


