Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka reaguar pas prezantimit të gjetjeve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), duke kërkuar ndalimin e përdorimit të vajit të palmës dhe qumështit pluhur në fabrikat e përpunimit të qumështit në Kosovë.
Në reagimin e saj, shoqata vlerëson se gjetjet e prezantuara sot nga ministri i Bujqësisë, Armend Muja, konfirmojnë shqetësimet që, sipas saj, janë ngritur ndër vite lidhur me përdorimin dhe fshehjen e këtyre përbërësve në produktet e qumështit, raporton Gazeta Blic.
Sipas Shoqatës së Qumështoreve, fshehja e vajit të palmës dhe qumështit pluhur në produkte paraqet një problem serioz, ndërsa kërkohet që të hetohen të gjitha produktet e dyshuara dhe përgjegjësit të përballen me ligjin.
Po ashtu, shoqata thekson se konsumatorëve duhet t’u rikthehet besimi si ndaj produkteve vendore, ashtu edhe ndaj atyre të importuara, duke e konsideruar transparencën dhe kontrollin si elemente kyçe për garantimin e sigurisë ushqimore.
Shoqata ka përshëndetur kontrollet e realizuara nga AUV, duke i cilësuar ato si një hap të rëndësishëm në mbrojtje të konsumatorëve, fermerëve dhe interesit publik.
Në fund, ajo i ka bërë thirrje AUV-it që të vazhdojë me të njëjtin intensitet kontrollet dhe hetimet deri në, siç thuhet, “demaskimin dhe ndalimin e plotë të çdo keqpërdorimi”, duke theksuar se siguria ushqimore duhet të jetë prioritet kombëtar.


