Lajme

Kurti mbajti takimin e parë me Komitetin Organizativ për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

08/04/2026 14:36
nga:L J

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se sot në Qeverinë e Republikës së Kosovës është mbajtur takimi i parë me Komitetin Organizativ për Lojërat Mesdhetare (KOLM) “Prishtina 2030”, të cilin e ka cilësuar si një prej projekteve më të rëndësishme që vendi do ta realizojë në vitet e ardhshme.

Përmes një postimi, Kurti theksoi se për herë të parë Kosova do të jetë nikoqire e një ngjarjeje sportive të kësaj përmase, duke mirëpritur sportistë, delegacione dhe partnerë nga vende të ndryshme të Mesdheut, raporton Gazeta Blic.

Sipas tij, organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” përbën një mundësi të rëndësishme për të dëshmuar kapacitetet organizative të Kosovës, për të avancuar sportin dhe infrastrukturën sportive, si dhe për ta prezantuar vendin para një audience të gjerë ndërkombëtare.

Kurti theksoi se “Prishtina 2030” është një projekt i përbashkët dhe strategjik me rëndësi shtetërore e kombëtare, që kërkon vizion afatgjatë, bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional dhe angazhim të të gjitha institucioneve.

Ai nënvizoi se Komiteti Organizativ ka rol të veçantë si mekanizëm koordinues, ku secili institucion kontribuon me përgjegjësitë e veta drejt realizimit të objektivit të përbashkët.

Në fund, Kurti shprehu pritjen që puna e Komitetit të karakterizohet nga bashkëpunimi, bashkërendimi, profesionalizmi dhe përgjegjësia institucionale, duke shtuar se vetëm në këtë mënyrë Kosova do ta realizojë me sukses projektin dhe do ta përfaqësojë denjësisht veten në Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.