Sot në ora 18:00 do të takohen kreu i VV-së, Albin Kurti dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Takimi vjen pas ftesës së djeshme nga Kurti drejtuar krerëve të tri partive PDK, LDK dhe Aleanca.
Përpos LDK-së, dy partitë tjera refuzuan takimin.
Por, sa mund të presim që të ketë marrëveshje LVV-LDK për formimin e institucioneve?
Lidhur me këtë, analisti politik, Arton Muhaxheri, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se VV-së i duhen votat vetëm për presidentin, pasi për qeveri e kuvend i ka.
Sipas tij, nëse arrihet koalicion me LDK-në, VV mund të humbasë postin e presidentit.
“E vërteta është se Vetëvendosje nuk ka nevojë për koalicion me asnjë nga partitë opozitare për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Votat e opozitës i nevojiten vetëm për zgjedhjen e Presidentit. Pikërisht këtu qëndron dilema. Nëse Vetëvendosje hap derën për një koalicion me LDK-në për qeverisje, atëherë rrezikon ta humbasë postin e Presidentit, një pozitë që, sipas të gjitha gjasave, synon ta mbajë për vete”, është shprehur ai.
Andaj, Muhaxheri shprehet skeptik për një marrëveshje të tillë.
“Për këtë arsye jam skeptik se mund të arrihet një marrëveshje VV-LDK. Për më tepër, pozicioni i Lumir Abdixhikut është dobësuar nga përçarjet e vazhdueshme brenda LDK-së, gjë që e kufizon autoritetin dhe fuqinë e tij negociuese”, ka vlerësuar ai për Gazeta Blic.
Ai sheh vetëm një formulë të mundshme për krijimin e institucioneve, përfshirë presidentin.
“Nëse do të ketë krijim të institucioneve, duke përfshirë edhe zgjedhjen e Presidentit, unë shoh vetëm një formulë të mundshme: Vetëvendosje, një pjesë e deputetëve të LDK-së, komunitetet joserbe dhe një bashkëpunim të heshtur me Listën Serbe, e cila mund të kontribuojë përmes pranisë në sallë ose duke marrë pjesë në votim me abstenim. Kjo do të ishte skenari më i mundshëm për të siguruar numrat e nevojshëm”, ka deklaruar Arton Muhaxheri./Gazeta Blic/
Takimi Kurti-Abdixhiku: A do të arrihet një marrëveshje politike?


