Një ngjarje makabre ka tronditur Havain, ku një 28-vjeçar është shpallur fajtor për vrasjen e partneres së tij dhe djalit të tyre vetëm 6 muajsh, pasi i goditi me thikë mbi 50 herë.
Sipas prokurorisë, Kendall Ramsey, ish-ushtar i Ushtrisë Amerikane me origjinë nga Çikago, arriti në një “pikë thyerjeje” dhe kreu krimin e rëndë ndaj partneres së tij, 23-vjeçares Kayla Holder, dhe foshnjës së tyre, Kainoa Ramsey, shkruajnë mediat amerikane.
Pas vrasjes, ai dyshohet se përdori gjakun e viktimave për të shkruar në murin e apartamentit fjalët: “Më fal. E godita me thikë. Ajo po më mbyste”.
Një juri në Oahu e shpalli Ramsey fajtor për vrasje të shkallës së parë. Ai pritet të dënohet në muajin nëntor dhe rrezikon burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht.
Prokurori i Honolulus, Steve Alm, e cilësoi ngjarjen si një akt jashtëzakonisht brutal të dhunës në familje.
“Kayla Holder dhe djali i saj i mitur duhet të ishin ende gjallë. Shpresojmë që ky vendim t’u sjellë sadopak drejtësi familjarëve të tyre”, deklaroi Alm.
Sipas autoriteteve, efektivët e policisë që hynë në apartament u përballën me një skenë rrëqethëse. Prokuroria tha se banesa ishte e mbuluar me gjak dhe se një prej oficerëve deklaroi se “e ndjeu erën para se ta shihte skenën”, duke përshkruar tmerrin që i priste brenda.
Rasti ka tronditur opinionin publik në ShBA dhe është konsideruar një nga krimet më të rënda të dhunës në familje të viteve të fundit në Havai.


