Të enjten pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, duke filluar nga ora 10:00.
Seanca është caktuar nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ka bërë të ditur agjendën e seancës konstituive.
Konform rregullores, pikë e parë e rendit të ditës do të jetë formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, për të vijuar me betimin e deputetëve. Në vijim do të procedohet me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe më pas të nënkryetarëve.
Nga Aleanca kanë thënë se do të marrin pjesë në seancë.
Këtë e ka konfirmuar për Gazeta Blic, sekretari i përgjithshëm i partisë, Avni Arifi.
Ndërsa, sa i përket votimit të kryetarit të Kuvendit, ai tha se Aleanca nuk ka marrëveshje politike me VV-në për këtë.
“Natyrisht se Aleanca merr pjesë në seancë. Kurse, sa i përket votimit të kandidatit të VV-së për kryetar të kuvendit, Aleanca nuk ka marrëveshje politike me këtë subjekt në lidhje me këtë çështje. Natyrisht që nuk votojmë”, u shpreh ai për Gazeta Blic./Gazeta Blic/


