Lajme

Kurti emëron Agron Limanin në krye të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur

07/31/2026 16:46
nga:L J

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se ka emëruar Agron Limanin në pozitën e Kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, detyrë të cilën deri më tani e ushtronte ministri në detyrë Andin Hoti.

Përmes një postimi, Kurti tha se me Limanin njihet prej më shumë se dy dekadash dhe kujtoi angazhimin e përbashkët në kërkim të drejtësisë për krimet e luftës, raporton Gazeta Blic.

Ai veçoi aksionin e vitit 2004 para zyrave të UNMIK-ut, kur ishte publikuar lista me emrat e 56 personave të dyshuar për masakrën e Krushës së Vogël, aksion gjatë të cilit, sipas Kurtit, Limani ishte arrestuar.

Kryeministri në detyrë theksoi se Limani është bashkautor i monografisë “Fshati i Vrarë”, kushtuar masakrës së Krushës së Vogël, libër që, sipas tij, është përdorur si dëshmi nga institucionet e drejtësisë në rastin ku u dënua Darko Tasiç.

Kurti rikujtoi edhe historinë personale të Limanit, duke bërë të ditur se ai ka qenë ushtar i UÇK-së, ndërsa familja e tij është prekur rëndë nga lufta.

“Gjatë luftës, Agroni ka qenë ushtar i UÇK-së, e ka të vrarë vëllain, ndërsa babai, axha dhe djali i axhës së tij, të tre, mbesin ende të zhdukur. Ata janë në mesin e 60 personave të pagjetur nga masakra e forcave të armatosura të Serbisë në këtë fshat”, shkroi Kurti.

Ai shtoi se misioni i Limanit në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë kishte nisur me drejtimin e Shoqatës për Hulumtimin e Personave të Rrëmbyer “26 Marsi 1999”.

Sipas Kurtit, Limani është me profesion inxhinier i elektroteknikës dhe më herët ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të Bujqësisë në Komunën e Prizrenit.

Në të njëjtin reagim, Kurti theksoi se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, pavarësisht, siç u shpreh ai, pengesave dhe sabotimit të vazhdueshëm nga Serbia.

Ai gjithashtu deklaroi se gërmimet e fundit në Kalludër të Zubin Potokut janë rezultat i punës së institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përsëriti thirrjen ndaj bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë presion mbi Serbinë për zbatimin e Deklaratës së 2 majit 2023 për personat e zhdukur me dhunë.

Kurti kërkoi në veçanti hapjen e arkivave të forcave serbe, përfshirë ndryshimin e vendimit për klasifikimin 30-vjeçar të dokumenteve, deri në vitin 2044, si dhe hapjen e arkivës së Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave.