Sporti

Domgjoni beson te përmbysja: Ballkani gati për betejën e fundit ndaj Bohemians

07/29/2026 20:56
nga:Mergim Rreci

Mesfushori i Ballkanit, Toni Domgjoni, ka shprehur bindjen se skuadra nga Suhareka është e gatshme të luftojë deri në fund për të siguruar kualifikimin në garat evropiane.

Ballkani do ta zhvillojë të enjten ndeshjen e kthimit ndaj Bohemians, pas humbjes 2:1 në përballjen e parë. Rezultati i ngushtë ka lënë gjithçka të hapur për sfidën vendimtare, ku skuadra kosovare do të kërkojë përmbysjen para tifozëve të saj.

Domgjoni ka theksuar se ekipi është i vetëdijshëm për vështirësinë e përballjes, por besimi brenda grupit mbetet i lartë.

“E dimë çfarë na pret dhe e dimë se duhet të japim maksimumin nga minuta e parë deri në të fundit. Besimi është aty, por tani duhet ta tregojmë në fushë. Duhet të jemi më të guximshëm dhe më të saktë në të dyja fazat e lojës”, u shpreh mesfushori.

Ai pranoi se në ndeshjen e parë Ballkani pati momente të mira, por mungesa e vazhdimësisë dhe vendosmërisë në disa situata ndikoi në rezultat.

“Në ndeshjen e parë patëm momente të mira, por na mungoi vazhdimësia dhe në disa situata nuk ishim mjaftueshëm të vendosur. Nesër duhet të luajmë me më shumë intensitet, të kontrollojmë më mirë momentet e vështira dhe të jemi më efikasë para portës. Kemi 90 minuta për ta ndryshuar historinë e kësaj përballjeje”, deklaroi Domgjoni.

Në fund, mesfushori i Ballkanit pati edhe një mesazh për tifozët, duke kërkuar mbështetjen e tyre gjatë gjithë ndeshjes.

“Mesazhi im për tifozët është i thjeshtë: na qëndroni pranë nga minuta e parë deri në fund. E dimë sa shumë na ndihmon atmosfera dhe energjia që krijojnë tifozët tanë. Ne do të japim gjithçka në fushë për këtë fanellë, për klubin dhe për ta bërë krenar çdo tifoz që do të jetë në stadium. Le ta luftojmë së bashku deri në sekondën e fundit”, përfundoi ai.