Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka kujtuar veprimtarin Hysen Gegaj në pesëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Në një postim në Facebook, Maqedonci ka kujtuar Hysen Gegajn në 5-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, duke vlerësuar kontributin e tij në shërbim të çështjes kombëtare dhe duke rikujtuar rrugëtimin e tij të gjatë në rrugën e lirisë, raporton Gazeta Blic.
“Sot, në 5-vjetorin e ndarjes nga jeta të Hysen Gegajt, së bashku me bashkëluftëtarë, familjarë, bashkëveprimtarë, të burgosur politikë dhe miq, kujtuam jetën dhe veprën e tij, si dhe rrugëtimin e tij të gjatë në shërbim të çështjes kombëtare”, ka shkruar Maqedonci.
Ai e ka cilësuar Gegajn si një veprimtar të palëkundur të çështjes së Kosovës.
“Baca Hysen ishte një veprimtar i palëkundur i çështjes së Kosovës, i cili me përkushtim, guxim dhe sakrificë dha kontributin e tij në rrugën e lirisë. Përkushtimi i tij ndaj atdheut, qëndresa dhe bashkëpunimi me breza të veprimtarëve e luftëtarëve mbeten pjesë e kujtesës sonë të përbashkët dhe e historisë së përpjekjes sonë për liri”, thuhet në postim.
Maqedonci ka theksuar gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së kujtimit për ata që kontribuuan për lirinë e vendit.
“Njerëzit që jetën e tyre ia kushtuan lirisë nuk ndahen kurrë plotësisht nga ne. Vepra e tyre jeton në kujtesën e familjeve, bashkëluftëtarëve dhe brezave që gëzojnë sot lirinë”, ka shkruar ai.
Postimin e ka përmbyllur me fjalët: “Lavdi jetës dhe veprës së Hysen Gegajt!”.


