Lajme

Franca evakuon 20,000 banorë ndërsa zjarret përhapen në jugperëndim

07/23/2026 19:55
nga:Y I

Rreth 12,000 njerëz janë evakuuar nga jugperëndimi i Francës dhe autoritetet po zhvendosin 8,800 të tjerë, ndërsa zjarret përhapen në rajonin e Girondës.

Zyrtarët lokalë thanë se rreth 3,400 hektarë (8,400 akra) tokë janë shkatërruar tashmë rreth Gjirit të Arcachon, ndërsa rreth 700 zjarrfikës luftojnë me flakët, ka raportuar BBC.

Shumë prej atyre që u detyruan të largoheshin nga zona gjatë natës ishin vizitorë të kampingjeve lokale në gadishullin Lège-Cap-Ferret dhe evakuimet e fundit përfshinin edhe kampingje si masë paraprake.

Zjarre kanë shpërthyer edhe në Spanjë dhe Itali ditët e fundit. Banorët u evakuuan pranë Toledos në jug të Madridit dhe një zjarrfikës vdiq pasi u sëmur ndërsa po përballej me një zjarr në Siçili.

Prefektja e Girondës, Sophie Brocas, tha se 10,000 vizitorë ishin midis atyre që u evakuuan nga kampingjet gjatë natës dhe evakuimet e fundit po vazhdonin “qetësisht” në fshatin Claouey, në bregun e Gjirit të Arcachon.

Brocas tha se nuk ishin raportuar të lënduar. Disa vende dhe rrugë po mbylleshin në zonat e ekspozuara pyjore.

“Puna ishte e pandërprerë gjatë gjithë natës”, tha shefi i shërbimit të zjarrfikësve të Girondës, Marc Vermeulen, i cili paralajmëroi se temperaturat po rriteshin dhe era po forcohej. “Do të arrijë kulmin në orën 20:00. Pastaj do të na duhet të merremi me… erëra shumë të ndryshueshme, kështu që aktualisht po përballemi me një zjarr që do të jetë i vështirë për t’u parashikuar dhe për këtë arsye nuk mund ta ulim vigjilencën tonë.”

Dy zjarrfikës vendas vdiqën më herët këtë javë duke luftuar një zjarr tjetër pranë aeroportit të Bordeaux.