Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar Shaban Manajn në 26-vjetorin e vrasjes së tij, duke e cilësuar atë si intelektual, avokat dhe veprimtar të shquar të çështjes kombëtare.
Abdixhiku ka vlerësuar kontributin e Manajt në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë, duke theksuar se ai shërbeu me përkushtim përkrah presidentit historik Ibrahim Rugova.
Ai ka theksuar se, edhe pas 26 vitesh, mbetet kërkesa për zbardhjen e plotë të vrasjes së Shaban Manajt dhe vënien e autorëve para drejtësisë.
“Po aq e madhe mbetet edhe kërkesa për zbardhjen e plotë të vrasjes së tij dhe për vendosjen e drejtësisë ndaj autorëve të këtij akti barbar”, ka shkruar Abdixhiku, duke e përmbyllur mesazhin me fjalët: “Lavdi jetës dhe veprës së Heroit Shaban Manaj!”.


