Lajme

Të akuzuarit për vrasjen e rreshterit Muhamet Lika deklarohen sërish të pafajshëm

07/23/2026 10:29
nga:Genita C

Gjashtë personat e akuzuar për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, janë deklaruar përsëri të pafajshëm në seancën e radhës gjyqësore, njësoj si në paraqitjen fillestare para gjykatës.

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, prokurori Ismet Rrahmani ka deklaruar se provat materiale dhe pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë se vrasja ishte e planifikuar, ndërsa të akuzuarit dyshohet se kanë ndihmuar në realizimin e saj para, gjatë dhe pas kryerjes së veprës penale.

Sipas Prokurorisë, rreshteri Muhamet Lika, më 1 prill 2025, pas përfundimit të ndërrimit të punës në Kaçanik, rreth orës 22:54 ishte nisur drejt banesës së tij, por nuk arriti të mbërrinte.

“Arsyeja ishte se u privua nga jeta me armë zjarri nga i mituri Rejhan Bela”, ka deklaruar prokurori Rrahmani.

Ai ka bërë të ditur se nga analizimi i pamjeve të kamerave të sigurisë janë identifikuar personat e përfshirë në rast. Sipas aktakuzës, Rejhan Bela dyshohet si kryerësi i drejtpërdrejtë i vrasjes, ndërsa pesë të pandehurit e tjerë akuzohen se kanë vepruar në bashkëkryerje, duke i ofruar ndihmë para dhe pas kryerjes së krimit.