Arsenali ka marrë një lajm jo të mirë në prag të sezonit të ri.
Sipas raportimeve të L’Équipe, mbrojtësi francez William Saliba ka vendosur të mos i nënshtrohet operacionit për problemin kronik në shpinë, duke zgjedhur një trajtim konservativ për rikuperimin e tij.
Megjithatë, edhe pse ndërhyrja kirurgjikale është shmangur, Saliba pritet të mbetet jashtë fushave për disa muaj. Testet e fundit kanë treguar se dëmtimi nuk është përkeqësuar, por mbrojtësi 25-vjeçar do të ketë nevojë për një periudhë të gjatë rehabilitimi për t’u rikthyer në formën optimale.
Mungesa e tij përbën një goditje të rëndë për trajnerin Mikel Arteta, pasi Saliba konsiderohet një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes së Arsenalit. Klubi londinez tani do të duhet të gjejë zgjidhje alternative në prapavijë derisa francezi të jetë gati për rikthim.
Vendimi për të shmangur operacionin është marrë pas konsultimeve mjekësore, me shpresën se trajtimi afatgjatë do ta zgjidhë problemin pa pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Megjithatë, rikuperimi i tij do të kërkojë kohë dhe durim.
/GazetaBlic Sport/


