Boksieri shqiptar Kristian Prenga ka dhënë një deklaratë të fortë në prag të përballjes së shumëpritur me Anthony Joshuan, duke treguar vendosmërinë e tij për të hyrë në ring pa emocione dhe pa kompromise.
Prenga theksoi se e vlerëson maksimalisht Joshuan për karrierën dhe arritjet e tij në boks, por shtoi se sapo të nisë meçi, çdo respekt mbetet jashtë litarëve të ringut.
“E respektoj Anthony Joshuan si sportist dhe për atë që ka arritur në boks. Por në momentin që hyj në ring, nuk kam respekt për askënd, as për babain tim. Aty jam vetëm për të fituar,” – u shpreh Prenga.
Deklarata e boksierit shqiptar ka tërhequr menjëherë vëmendjen e tifozëve, duke rritur edhe më shumë interesin për sfidën që pritet të zhvillohet. Me këtë mesazh, Prenga tregon se është i gatshëm të japë maksimumin dhe të luftojë pa asnjë hezitim për të arritur fitoren.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse fjalët e tij do të shndërrohen në një performancë të madhe në ring, në një nga përballjet më tërheqëse të karrierës së tij.
/GazetaBlic Sport/


