Lajme

Analistët paralajmërojnë: Zhvillimet në LDK nuk duhet të bllokojnë institucionet e vendit

07/21/2026 12:59
nga:Genita C

Analisti politik Arton Muhaxheri ka deklaruar se problemet e brendshme të një partie nuk duhet të ndikojnë në procesin e krijimit të institucioneve të vendit, raporton GazetaBlic.

Ai ka vlerësuar se LDK-ja ndodhet në një fazë ku çështjet e brendshme janë bërë më të dukshme, ndërsa ka ngritur shqetësime për interesimin e Vetëvendosjes lidhur me zhvillimet brenda kësaj partie.

“Janë dy çështje të ndara. Problemet që një parti mund t’i ketë brenda saj nuk do të duhej të reflektonin në procesin e krijimit të institucioneve. Në këtë rast, LDK-ja ndodhet në një fazë ku duket se problemet e brendshme kanë dalë jashtë kontrollit. Edhe më i çuditshëm sesa vetë problemi i brendshëm i një partie politike është fakti se si është e mundur që një parti tjetër, siç është partia në pushtet, të ketë interes se kush do të bëhet kryetar i LDK-së, madje edhe të tentojë të ndikojë, qoftë edhe në mënyrë indirekte, në këtë proces”, tha Muhaxheri.

Sipas Muhaxherit, VV-ja po përpiqet të ndikojë në procesin e mosshkarkimit të kryetarit të LDK-së, por kjo, sipas tij, nuk duhet të shërbejë si arsye për bllokimin e krijimit të institucioneve.

“Konsideroj se VV-ja është ulur këmbëkryq duke bërë përpjekje në rezultatin e procesit e mos shkarkimit të kryetarit të LDK-së. Megjithatë, kjo nuk do të duhej të ishte as shkak, e as arsye për moskrijimin e institucioneve të vendit”, tha ai për GazetaBlic.

Ndërsa, Ardian Bytyqi ka deklaruar se Përparim Rama, përmes deklaratave të tij, ka lënë të kuptohet se është i gatshëm të garojë për postin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai ka vlerësuar se Kuvendi i LDK-së do të duhej të mbahej pas krijimit të institucioneve, në mënyrë që kandidatët e mundshëm të kenë mundësi të paraqesin platformat e tyre.

Bytyqi ka thënë se në LDK ekzistojnë disa emra me ambicie për të udhëhequr partinë, duke përmendur edhe Lumir Abdixhikun, ndërsa ka shtuar se një pjesë e strukturave rreth Përparim Ramës e shohin si sfidë të mundshme edhe ish-presidenten Vjosa Osmani.

/GazetaBlic/